Çdo të thotë strehim i fëmijës suaj në një vend pritës

1. Gjërat thelbësore shkurtimisht

Fjala është që fëmija juaj të strehohet në një qendër a familje pritëse. 

Kjo gjendje mund të shkaktojë shqetësime, emocione, moskuptime dhe të ngrejë pyetje.

Autres feuillets du livret

Ja disa informacione që mund t’ju ndihmojnë për të kuptuar se çdo të thotë strehim i fëmijës në një vend pritës dhe t’jua bëjnë të njohura të drejtat dhe detyrat tuaja.

2. Përse është strehuar në një vend pritës fëmija juaj ?

Strehimi në një vend pritës ndodh kur siguria fizike dhe/ose psikike e fëmijës nuk mund të garantohet ndryshe.

Dy arsye kanë mundur të shpien deri në strehimin e fëmijës suaj në një vend pritës :

  • Ju jeni pajtuar me shërbimin e mbrojtjes së të miturve (SPMi) se gjendja  e krijuar nuk mund të vazhdojë më dhe se strehimi i fëmijës në një vend pritës është i nevojshëm.
  • Këtë e ka urdhëruar një gjyqtar. Në këtë rast, arsyet e strehimit të fëmijës në një vend pritës jua ka shpjeguar ndërhyrësi në mbrojtjen e fëmijës (IPE) dhe/ose gjyqtari, zakonisht gjatë një seance dëgjimore.  Ato janë përshkruar në vendimin e gjykatës.

3. Si bëhet strehimi në një vend pritës ?

Ky strehim kryhet në disa etapa.

  • Në raste urgjente : Në rast se e kërkon situata, fëmija merret në mbrojtje menjëherë, me qëllim që të garantohet siguria e tij. Pas kësaj, bëhet një vlerësim për të parashikuar vijimin.
  • Në rast strehimi afatmesëm apo afatgjatë : Ka një proces pranimi, me takime, për të përgatitur pritjen e fëmijës sa më mirë që të jetë e mundur.
  • Hartimi i projektit të strehimit : Fillimisht organizohet një takim pranimi, për të hartuar një projekt-strehimi të personalizuar.  Gjatë këtij takimi, ne vendosim së bashku për objektivat dhe veprimet që duhen kryer për të siguruar mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijës.

Në takimin e pranimit janë të pranishëm :

  • Ju vetë, si prind. 
  • Skuadra e vendit pritës ose përfaqësues të tij
  • Ndërhyrësja ose ndërhyrësi në mbrojtjen e fëmijës (IPE), si përfaqësues i SPMi-së
  • Fëmija, sipas moshës dhe gjendjes së tij

Së bashku : Ne plotësojmë një dokument, i cili saktëson se kush vendos dhe për çfarë vendos, gjatë kohës që fëmija qëndron në vendin pritës. Shpesh, këto çështje përcaktohen qysh përpara nga gjyqtari.

Dhënia e informacioneve të dobishme për ndjekjen e rregullt të rastit : Ne ju nxisim të jepni të gjitha informacionet që mund të ndihmojnë për një përkujdesje të mirë për fëmijën (zakonet ushqimore, gjumin, alergjitë, problemet shëndetësore, etj.)

Ndjekja e rregullt e rastit :

  • Çdo 6 mua,j bëhet një bilanc. Kjo bën të mundur që të shikohet se si evoluon gjendja dhe si zhvillohet fëmija. Objektivat e strehimit në një vend pritës ju shpjegohen dhe diskutohen me ju, sepse pikëpamja juaj ka rëndësi.
  • Nëse bëhet fjalë për një qendër, fëmija juaj ka takime me edukatorin e vet. Edhe ju si prind, do të keni takime me edukatorin përkatës, aq herë sa do të jetë vendosur me skuadrën edukuese.

4. Cilat janë të drejtat dhe detyrat tuaja, si prind ?

Të drejtat tuaja janë

  • E drejta për të marrë lajme për fëmijën tuaj : Ju keni të drejtën për tu informuar për vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën tuaj.
  • E drejta për të kërkuar informacione nga profesionistët : Ju mund të kërkoni informacione nga skuadra edukuese e qendrës.  Nëse fëmija është vendosur në një familje pritëse, ju mund të kontaktoni ndërhyrësen ose ndërhyrësin në mbrojtje të fëmijës (IPE).
  • E drejta për të mbajtur kontakte me fëmijën tuaj : Veç nëse ka një vendim të kundërt, ju mund të mbani kontakte të rregullta me fëmijën tuaj (vizita, thirrje telefonike, letra, etj...). Brenda mundësive, mënyrat e mbajtjes së kontakteve përcaktohen me marrëveshje të përbashkët, gjatë takimit të pranimit dhe përfshihen në projektin e strehimit në një qendër a familje pritëse. Përkundrazi, nëse strehimi është urdhëruar nga një gjykatë, i takon asaj të përcaktojë se kur dhe si do ta shikoni fëmijën tuaj.
  • E drejta për të marrë vendime : Brenda mundësive, ju merrni pjesë në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me fëmijën tuaj, në funksion të projektit të strehimit në një vend pritës dhe të vendimeve gjyqësore.

Detyrat tuaja

Më e rëndësishmja është të pranoni ndihmën e profesionistëve që ju këshillojnë.

Kjo nuk është e lehtë, por mbani parasysh se ata janë atje për t’ju ndihmuar. Ata ju shoqërojnë me synimin për të stabilizuar dhe përmirësuar gjendjen tuaj. Në këtë mënyrë, ju do të mund ti përkushtoheni më mirë rolit të prindit.

Ja disa shembuj :

  • Respektimi dhe zbatimi i vendimeve të drejtësisë
  • Puna me SPMi-në dhe, nëse fëmija është në një qendër, me edukatorët
  • Pjesëmarrja në takimet me profesionistët
  • Pjesëmarrja në diskutimin mbi objektivat e strehimit në një vend pritës
  • Puna për arritjen e objektivave
  • Bërja, tre muaj para, e kërkesës për të ditur nëse mund të gëzoni të drejtën për një vizitë të jashtëzakonshme.

5. Me kë mund të flisni ?

Profesionistë të shumtë janë atje për t’ju ndihmuar :

  • Nëse fëmija është në një qendër, skuadra e qendrës dhe edukatori përkatës janë të rëndësishëm. Edhe ndërhyrësi apo ndërhyrësja në mbrojtjen e fëmijës (IPE) i/e SPMi-së mund t’ju përgjigjet.
  • Nëse fëmija është në një familje pritëse, ndërbiseduesi juaj kryesor është IPE-ja e SPMi-së.

Gjyqtari, i cili merret me dosjen e fëmijës, mund t’ju dëgjojë në një seancë. Po qe nevoja, ju edhe mund ti shkruani atij.

Që të keni mundësi të përkujdeseni për fëmijën, duhet të përkujdeseni edhe për veten tuaj : ndoshta, për këtë mund t’ju ndihmojë edhe një ndihmës shoqëror, mjeku juaj, psikologu, etj.

6. Kush paguan për strehimin në një vend pritës ?

Prej jush kërkohet një pjesëmarrje financiare : ajo llogaritet sipas të ardhurës suaj përcaktuese të njësuar revenu déterminant unifié (RDU). Pjesa tjetër merret përsipër nga shteti.

Edhe shërbimet mjekësore që nuk rimbursohen mund të jenë në ngarkimin tuaj, ashtu si edhe shpenzimet që lidhen me veprimtari të zakonshme të fëmijës suaj.

Nëse ju nuk banoni me prindin tjetër, pjesëmarrja financiare kërkohet nga prindi, i cili ka qenë i fundit, që e ka mbajtur fëmijën në banesë dhe që ka përfituar alokacionet familjare, pensionin ushqimor dhe ndoshta të ardhura të tjera.

Nuk ka pjesëmarrje financiare për ju, nëse merrni ndihmë financiare nga Streha e përgjithshme (Hospice général).

7. Kush u jep leje vendeve pritëse dhe i mbikëqyr ato ?

8. Kur mbaron qëndrimi në vendin pritës ?

Qëndrimi në vendin pritës merr fund nëse gjendja është stabilizuar mjaftueshëm dhe nëse fëmija mund të kthehet në mjedisin e vet familjar, në siguri të plotë.

Nëse nuk ka mandat gjyqësor, ju  vendosni, bashkë me SPMi-në dhe vendin pritës (qendrën a familjen pritëse), për ti dhënë fund qëndrimit të fëmijës atje, por me kusht që të ruhet interesi i lartë i tij.

Nëse strehimin në vendin pritës e ka urdhëruar një gjyqtar, vetëm ai e ka fuqinë për ti dhënë fund qëndrimit të fëmijës atje.

Si fillimi edhe fundi i qëndrimit përgatiten dhe ndërtohen së bashku. Duhet të bëhen diskutime dhe të hartohet një plan për të ardhmen, duke u bazuar në arritjen e objektivave të caktuara, gjatë qëndrimit në vendin pritës.